Më 21 shtator 2018, ADMOVERE publikoi raportin «STAFI AKADEMIK I UP-SË – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë». Një prej qëllimeve të këtij raporti ishte edhe radhitja e të gjitha rasteve të plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së.

Pas publikimit të raportit tonë, më 1 tetor 2018, profesori i Fakulteti i Juridik, z. Mejdi Bektashi, na paditi për shpifje dhe fyerje, si dhe kërkoi që të tërhiqet nga qarkullimi pjesa e raportit ku akuzohet për plagjiaturë. ADMOVERE në reagimin e vet të datës 12 tetor 2018 shprehu gatishmërinë që të ballafaqohet në gjykatë, ndërkaq më 13 tetor 2018 ADMOVERE paraqiti ankesën për kërkesën që të tërhiqet nga qarkullimi pjesa e raportit ku Mejdi Bektashi akuzohet për plagjiaturë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 nëntor 2018, aprovoi masën e sigurisë të kërkuar nga Mejdi Bektashi, me të cilën u detyruam ta tërheqim pjesën e raportit që flet për të, si dhe të mos bëjmë deklarata në lidhje me personalitetin e tij, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. Më 16 nëntor 2018 ADMOVERE dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit për aktvendimin e Gjykatës Themelore që e detyroi ADMOVERE-n ta tërheqë nga qarkullimi pjesën e raportit ku Mejdi Bektashi akuzohet për plagjiaturë.

Gjykata e Apelit më datë 28 shkurt 2019 mori vendim për prishjen e Aktvendimit të Gjykatës Themelore për caktimin e masës së sigurisë, të datës 8 nëntor 2018, dhe e ktheu çështjen në rivendosje te Gjykata Themelore. Gjykata e Apelit gjeti se ankesa jonë është e bazuar dhe konstatoi se vendimi për caktimin e masës së sigurisë ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, se është bërë zbatim i gabuar i të drejtës materiale dhe se nuk është vërtetuar drejt dhe në masë të plotë gjendja faktike.

Më 26 mars dhe 24 prill 2019, u mbajtën seancat për rivendosje në lidhje me kërkesën e z. Bektashi për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Si rrjedhojë, më 3 maj 2019 Gjykata Themelore në Prishtinë e refuzoi si të pabazuar propozimin e Mejdi Bektashit për caktimin e masës së sigurisë, me të cilën ai kërkonte që ADMOVERE ta censuronte raportin ku fliste për plagjiaturën e tij, për të cilën kishin raportuar mediat e shkruara në vitin 2007.

 

Lajmet e fundit

Më shumë lajme
06.12.24
«Masakrat në Kosovë 1998-1999»
MË SHUMË
27.03.24
Promovimi: «Sërbia Tjetër 4»
MË SHUMË