Grupet e margjinalizuara, siç janë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, historikisht preken gjithmonë më shumë nga pandemitë dhe katastrofat natyrore. Për shkak të mungesës në qasjen për shërbime shëndetësore, këto komunitete jetojnë në rrethana që e shtojnë probabilitetin ndaj sëmundjeve. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të analizohen politikat e nivelit qendror dhe lokal për adresimin e nevojave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në kohë krizash.
Qëllimi i parë i këtij publikimi është t’i identifikojë dhe t’i shqyrtojë masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me theks te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19. Qëllimi i dytë i këtij hulumtimi është t’i identifikojë dhe t’i shqyrtojë masat e ndërmarra nga Komuna e Ferizajt, Lipjanit dhe Fushë Kosovës, me theks te këto komunitete, kurse qëllimi i tretë dhe i fundit është të shqyrtojë zbatimin dhe ndikimin e këtyre masave te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.