Profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) të Universitetit të Prishtinës (UP) kanë alarmuar publikisht për rrezikun e mbylljes së programit studimor të elektroenergjetikës në këtë fakultet. Duke pasur parasysh se është fjala për profil studimi që nuk ofrohet nga asnjë institucion i lartë arsimor tjetër në Kosovë, ç’pasoja do të sillte mbyllja e këtij programi studimor për ekonominë dhe industrinë e vendit, në afat të mesëm e të gjatë? Ky publikim fokusohet në rrezikun e mbylljes së programit të elektroenergjetikës në FIEK, si dhe te pasojat e mbylljes së tij. Shqyrtohen edhe numrat e regjistrimeve të studentëve në të gjitha nivelet për drejtimet përkatëse të FIEK-ut në këto vitet e fundit, për të mësuar sa joshëse janë ato për studime.
Për të mësuar nëse ekziston rreziku i mbylljes së ndonjërit nga programet studimore në FIEK, nëpër departamente hulumtuam të dhënat e mëposhtme që nga viti 2012, kur u digjitalizuan me Sistemin Elektronik të Menaxhimit të Studentëve (SEMS), e deri më 2019:
- CV-të e stafit aktual të rregullt akademik dhe të bashkëpunëtorëve të jashtëm;
- listat e personelit akademik me marrëdhënie të rregullt pune dhe lista e bashkëpunëtorëve të jashtëm të angazhuar pë ligjërata dhe ushtrime;
- listën e profesorëve të pensionuar në dhjetë vjetët e fundit;
- konkurset për pozita të rregullta mësimdhënëse;
- pasqyrat e numrit të studentëve të regjistruar nëpër vitet akademike;
- rezultatet e konkurseve për bursa nga UP-ja;
Përveç këtyre, për t‘i hetuar pasojat nga mbyllja e programeve të caktuara në FIEK me të cilat mund të ballafaqohen disa nga ndërmarrjet më të mëdha energjetike/industriale në vend (KEK, KOSTT, KEDS, TREPÇA dhe INFRAKOS), si dhe për ta kuptuar gjendjen aktuale të këtyre ndërmarrjeve lidhur me kuadrot, hulumtuam edhe për:
- sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen këto ndërmarrje lidhur me kuadrot e reja profesionale;
- profilet profesionale më të kërkuara nga këto ndërmarrje;
- programet studimore në FIEK nga të cilat kërkohen të diplomuar për punësim në këto ndërmarrje;
- numrin e inxhinierëve të punësuar në këto ndërmarrje dhe moshën mesatare të tyre;
- numrin e inxhinierëve të pensionuar në 10 vjetët e fundit;
- numrin e inxhinierëve që do të pensionohen në 10 vjetët e ardhshëm;
- numrin e të diplomuarve nga FIEK-u të punësuar nga këto ndërmarrje në 10 vjetët e fundit;
- numrin e studentëve të FIEK-ut që kanë kryer praktikë në këto ndërmarrje në 10 vjetët e fundit;
- numrin e studentëve të FIEK-ut që kanë marrë bursa nga këto ndërmarrje;
Po ashtu, për këtë raport zhvilluam edhe intervista me Dekanatin e FIEK-ut, përgjegjësit dhe ish-përgjegjësit e departamenteve në FIEK, me profesorë dhe ish-profesorë të FIEK-ut, si me inxhinierë/ekspertë të drejtimeve elektro-teknike nga vetë industria.