Më 13 shkurt 2019 OJQ ADMOVERE bashkë me organizatat anëtare të Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), për nder të 49-vjetorit të Universitetit të Prishtinës (UP) organizoi një ekspozitë me fotografi, të shoqëruara me tekst, për historikun e UP-së që nga themelimi e deri më sot, të titulluar «Odisejë – Universiteti i Prishtinës nëpër vite». Përveç ekspozitës, në këtë ditë i prezentuam edhe raportet e hartuara nga OJQ-të përbërëse të KITU-s, si dhe organizuam një debat mbi UP-në me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi, Rektorin e UP-së, Marjan Dema, dhe drejtorin ekzekutiv të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci, e cila më pas u transmetua edhe në emisionin Rubikon të televizionit KTV. Në fund të ditës, këto akvitete u përmbyllën me muzikë jazz nga Ilir Bajri, Arian Randobrava dhe Enes Beu, në koktejin ku ishin të pranishëm shumë studentë e profesorë të UP-së e të universiteteve të tjera në Kosovë, pjesëtarë të shoqërisë civile, gazetarë, etj.

Në ekspozitë u paraqitën kronologjikisht ngjarjet më të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar UP-ja gjatë historikut prej gati gjysmë shekulli:

  • Për vitet ’60 u prezentuan themelimi i katër fakulteteve të para, që asokohe ishin degë e Universitetit të Beogradit, pastaj demonstratat e vitit 1968, në të cilat, mes të tjerash, qe kërkuar edhe themelimi i UP-së, mandej miratimi i ligjit për themelimin e UP-së nga Kuvendi i Kosovës më 1969, e me radhë.
  • Për vitet ‘70, u pasqyrua themelimi i UP-së dhe i fakulteteve të tjera në kuadër të UP-së, marrëveshjet e bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, me fjalë të tjera entuziazmi i jashtëzakonshëm, si nga profesorët, ashtu edhe nga studentët, për ta themeluar institutucionin më të rëndësishëm arsimor në Kosovë – UP-në.
  • Tutje, për vitet ’80 u rrëfyen demonstratat e vitit 1981, pastaj kritikat e para për integritetin akademik në UP, me theks të veçantë te plagjiatura, të publikuara gjatë viteve ‘80.
  • Vitet ’90 janë vitet e mbijetesës – dëbimi prej godinave universitare nga ana e pushtetit sërb, pastaj protestat kundër këtij segregimi e aparteidi, zhvendosja e UP-së nëpër shtëpi private, protestat e 1 tetorit 1997 dhe lufta.
  • Pjesa e fundit e ekspozitës ishte paslufta, ku renditëm kryesisht disa nga skandalet e rektorëve të UP-së, të emëruar kryesisht nga politika.
  • Në ballë të ekspozitës u vendosën gjetjet kryesore të organizatave të koalicionit KITU për gjendjen aktuale në UP.

Ekspozita «Odisejë - Universiteti i Prishtinës nëpër vite»

Lajmet e fundit

Më shumë lajme
06.12.24
«Masakrat në Kosovë 1998-1999»
MË SHUMË
27.03.24
Promovimi: «Sërbia Tjetër 4»
MË SHUMË