Mosakreditimi institucional i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) në procesin e fundit të akreditimit në korrik 2019, nxiti reagime të shumta. Meqë është fjala për profile studimi, siç janë programet e Fakultetit të Gjeoshkencave që nuk ofrohen tjetërkund në Kosovë, lind pyetja ç’pasoja do të sillte mbyllja e tyre për ekonominë dhe industrinë e vendit? Ky publikim përqendrohet në rrezikun e mosakreditimit institucional të UMIB-it për herë të dytë, me ç’rast programe deficitare studimi do të ishin në rrezik të shuarjes, si dhe implikimet që kjo do të kishte për ekonominë e vendit.
Shqyrtohen edhe numrat e regjistrimeve të studentëve në të gjitha nivelet për drejtimet përkatëse në Gjeoshkenca për periudhën 2014/15–2018/19, për të mësuar sa joshëse janë ato për studime. Raporti synon të nxisë debat publik mbi këtë çështje të rëndësishme, në mënyrë që të shtohet presioni te organet vendimmarrëse për të mos i mbyllur këto drejtime.
Për të kuptuar situatën pas heqjes së akreditimit institucional për UMIB-in dhe për të mësuar nëse ekziston rreziku i mbylljes së ndonjërit nga programet studimore të Gjeoshkencave, analizuam:
- raportet e akreditimit të ekspertëve ndërkombëtarë për UMIB-in;
- vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC);
- ankesën e UMIB-it për mosakreditim drejtuar KShC-së;
- dokumentet e tjera relevante si Statuti, Kodi i Etikës dhe rregulloret e tjera;
- CV-të e stafit aktual të rregullt akademik dhe të bashkëpunëtorëve të jashtëm;
- listat e personelit akademik me marrëdhënie të rregullt pune dhe listat e bashkëpunëtorëve të jashtëm, të angazhuar për ligjërata dhe ushtrime;
- listën e profesorëve të pensionuar në pesë vjetët e fundit;
- konkurset për pozita të rregullta mësimdhënëse;
- pasqyrat e numrit të studentëve, të regjistruar nëpër vitet akademike;
- rezultatet e konkurseve për bursa nga UMIB-i;
Për këtë raport zhvilluam edhe intervista me Rektoratin e UMIB-it, Dekanin dhe Prodekanin e Gjeoshkencave, profesorë dhe ish-profesorë të këtij fakulteti, me inxhinierë e ekspertë të drejtimeve përkatëse nga vetë industria, si dhe me përfaqësuesit e KShC-së dhe të AKA-s.